Brenda 24 orëve, në evidencat e policisë figurojnë shumë aksidente, 1 me fatalitet, 14 me lëndime dhe 42 të tjera me dëme material. Përgjatë kësaj periudhe kohore, policia ka shqiptuar mbi 2 mijë gjoba në trafik.
Por, numri i aksidenteve në komunikacion, në nivel vendi vazhdon të mbetet i lartë, duke pasqyruar sfidat që lidhen me sjelljen e pjesëmarrësve në trafik.
Sipas ekspertëve të komunikacionit, kjo dukuri përbën një sfidë serioze për sigurinë publike dhe shoqërinë në përgjithësi duke shtuar se nevojitet strategji për sigurinë rrugore.
“Nuk kanë krijuar strategji sa i përket sigurisë në komunikacion, nuk bëhen hulumtime sa i përket faktorëve të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në aksidente. Nuk ka institute që e bëjnë hulumtimin e aksidenteve dhe pikërisht është ajo që drejtuesit e automjeteve në Kosovë janë në mëshirën e njohurive të vetvetes….”ka thënë Nol Dedaj, ekspert i Komunikacionit për RTK.
Policia e Kosovës bën të ditur se vetëm gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë regjistruar 51 aksidente fatale.
Autoritetet policore kanë apeluar për kujdes në trafik, duke theksuar se janë ndërmarrë masa të vazhdueshme për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.
Megjithatë, shqetësim mbetet edhe mënyra e raportimit të këtyre ngjarjeve në media. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka bërë apel që raportimi për tragjedi të bëhet me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm, duke theksuar se vetëm kur ka interes të lartë publik, mediat duhet të raportojnë për ngjarje të tilla.
Edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka bërë thirrje gjitha mediave për reflektim dhe respektim të privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve