Sht. Sht 27th, 2025

AUV: Paraziti te peshqit e ngrirë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se prania e parazitit Anisakis simplex te peshqit e ngrirë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, dhe se peshku është i sigurt për konsum pasi gatimi në temperaturë mbi 60 gradë Celsius asgjëson rrezikun e mundshëm.

“Në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitëve të llojit Anisakis simplex – një dukuri e njohur ndërkombëtarisht në lloje të caktuara të peshkut”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje”.

“Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm” .

Sidoqoftë AUV-u tregoi për rastet se kur mund të shfaqet rreziku në rastin e konsumimit të peshkut të freskët.

“Ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje , veçanërisht në përgatitje si ‘crudo’, sushi apo sashimi. Në këto raste, peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi”.

“Kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore”.

Ata shtuan se këto standarde bazohen në rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si EFSA dhe FAO, dhe se kur ky produkt përdoret sipas udhëzimeve, nuk shfaq rrezik për shëndetin publik

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *