Sht. Sht 27th, 2025

“Kosova në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të rrymës”

“Kosova është në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të rrymës”, vlerësoi drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, në tryezën e diskutimit në kuadër të projektit “Varfëria energjetike në Kosovë II’, të organizuar nga INDEP-i.

“Nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen, ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike të vitit 2007”, tha Ejupi.

Ndërsa, Besiana Qorraj- Berisha nga Ministria e Ekonomisë tha se roli i tyre është hartimi i politikave dhe baza e bashkësive të energjisë.

“Strategjia e Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022–2031 përfshin ndër objektivat kyç promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme”, tha Qorraj- Berisha.

Përfaqësuesi i Heinrich-Böll-Stiftung, Granit Gashi tha se qëllimi i tyre është të shtyhen përpara kornizat të cilat do të mundësonin tranzicionin energjetik për Kosovën.

Kurse, ekspertja për zhvillim të kapaciteteve, Lindita Daija, tha se në aspektin e legjislacionit, Kosova tashmë është në një stad të avancuar.

“Megjithatë, mbetet ende punë për t’u bërë në legjislacionin sekondar, veçanërisht sa i përket organizimit të komiteteve dhe përcaktimit të hapave më konkretë për mënyrën se si duhet të zhvillohet ky organizim”, tha Daija.

Ekspertja e burimeve të energjisë, Zanfina Kabashi, tha se Kosova ka potencial për shumë lloje të burimeve të energjisë së ripërtritshme.

Në raportin e publikuar nga INDEP me temën “Komunitetet e energjisë dhe varfëria energjetike në Kosovë” vlerësohet se Kosova ndodhet në një moment kritik, pa rregullore të qarta dhe mekanizma financiarë, komunitetet e energjisë rrezikojnë të mbeten në letër.

Në këtë raport paraqiten disa rekomandime, ndër to që Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të themelojnë brenda gjashtë muajve një grup të përbashkët pune, i cili do të ketë për detyrë plotësimin e bazës ligjore për komunitetet e energjisë.

Ky proces nuk kufizohet vetëm në miratimin e akteve nënligjore që rrjedhin nga Ligji për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë dhe nga rregulloret e ZRRE-së për skemat mbështetëse, por përfshin edhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese.

Tjetër rekomandim është që Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me institucionet tjera duhet të miratojë brenda 12 muajve një Program Kombëtar për Decentralizimin e Prodhimit të Energjisë, ku komunitetet e energjisë të kenë rol qendror.

“ZRRE dhe KOSTT duhet të publikojnë brenda 18 muajve një hartë kombëtare që përfshin: kapacitetet e rrjetit (LV/MV), afërsinë me nënstacione, pikat e ngarkesës, kufizimet teknike dhe shpërndarjen territoriale të varfërisë energjetike”, thuhet veç të tjerash në këto rekomandime.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *