Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka miratuar ristrukturimin organizativ dhe funksional të Departamentit të Përfaqësueseve për vitin 2027, në mbledhjen e Bordit të mbajtur të enjten në Prishtinë.
Sipas njoftimit të FBK-së, në këtë mbledhje janë shqyrtuar një sërë çështjesh që lidhen me ecurinë e garave në të gjitha ligat për edicionin 2026/2027, gjendjen financiare të Federatës dhe planifikimin e aktiviteteve për vitin e ardhshëm.
Me strukturën e re, Jeton Nixha do të jetë menaxher i Përfaqësueseve 5×5, Artina Hasani menaxhere e Programit 3×3, Bujar Loci koordinator 5×5 për meshkuj, ndërsa Lorik Kllokoqi koordinator 5×5 për femra. Edita Medunjanin është emëruar koordinatore operacionale dhe logjistike për meshkuj, kurse Sumeja Osmani koordinatore operacionale dhe logjistike për femra.
FBK ka bërë të ditur se ky ristrukturim do të realizohet përmes angazhimit të personelit ekzistues të Zyrës Ekzekutive, pa pasur nevojë për rekrutime të reja.
Në këtë mbledhje është aprovuar edhe raporti nëntëmujor për progresin e zbatimit të Planit Strategjik 2026–2030, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar pjesëmarrjes së Përfaqësueseve të Kosovës në garat e FIBA Europe gjatë vitit 2027.
Po ashtu, janë diskutuar përgatitjet për organizimin e Kampionatit Evropian U18 për Femra, Divizioni C, që do të mbahet në Pejë, si dhe kualifikimet për FIBA 3×3 Europe Cup 2027.

