Kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci, ka qëndruar në Tiranë, ku ka marrë pjesë në konferencën “Siguria e Informacionit në realitetin TIK”.
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë së informacionit.
Sipas Bajqinovcit, në kohën kur kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më komplekse, mbrojtja e informacionit të klasifikuar dhe e sistemeve digjitale mbetet përparësi strategjike.
Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve rrit gatishmërinë për t’u përballur me sfidat dhe kërcënimet kibernetike.
“Siguria e informacionit, përgjegjësi e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë. Sot, në Tiranë, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kisha kënaqësinë t’u drejtohem pjesëmarrësve në konferencën “Siguria e Informacionit në realitetin TIK”, që po zhvillohet nga 24 deri më 27 nëntor, e bashkorganizuar nga AKSIK-u i Shqipërisë dhe AMIK-u i Kosovës. Në një kohë kur kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më komplekse, mbrojtja e informacionit të klasifikuar dhe e sistemeve digjitale është përparësi strategjike. Sa më ngushtë të bashkëpunojnë institucionet tona, aq më të përgatitura do të jenë për t’u përballur me këto kërcënime”, ka thënë Bajqinovci.

