Mër. Nën 25th, 2026

Gërvalla: Tetë gra të vrara për dhjetë muaj në Kosovë, institucionet duhet ta meritojnë besimin e viktimave

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë fjalës së saj, në ceremoninë e hapjes së fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, theksoi rëndësinë e raportimit të dhunës, duke thënë se institucionet duhet ta meritojnë besimin e viktimave dhe të garantojnë mbrojtjen e tyre.

Ajo u bëri thirrje grave që t’i drejtohen institucioneve, si Qendrat për Punë Sociale, policisë, prokurorisë dhe gjykatave, duke nënvizuar se shteti duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë ato.

“Kur ne u themi ‘Raporto dhunën’, duhet ta kuptojmë peshën e këtyre fjalëve. Po ju kërkojmë të na besoni. T’i besoni Qendrës për Punë Sociale, policisë, Mbrojtësit të Viktimave, prokurorisë dhe gjykatës. T’i besoni shtetit se do t’ju mbrojë. Këtë besim duhet ta meritojmë”, deklaroi Gërvalla.

Ministrja bëri të ditur se gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, në Kosovë janë vrarë tetë gra.

Ajo theksoi se secili rast duhet të shërbejë si përgjegjësi për institucionet, të cilat duhet të japin përgjigje se çfarë kanë ditur, si kanë vepruar dhe nëse është bërë gjithçka e mundur për mbrojtjen e jetës së viktimave.

 

Postime të Ngjashme