Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur edhe një herë tjetër ambicien për t’u bërë kryeministër i Kosovës, duke premtuar se në këtë pozitë do ta shndërronte vendin në një shtet të zhvilluar si Singapori.
“Do të ishte më e lehtë nëse s’do të na bllokonin e sabotonin. E me na ndihmu paramendojeni se çka do të bënim. Do të bënim vend fenomenal. Vetëm duhet një qeveri bashkëpunuese e jo sabotuese”, ka thënë Rama para mediave.
Ai ka shtuar se si kryeministër synon që Kosova të jetë si Singapori apo vendet e tjera të zhvilluara.
“Si kryeministër, synojmë që Kosova të jetë si Singapori apo si vendet e zhvilluara sepse kemi rini të mrekullueshme, potencial të mrekullueshëm të zhvillimit”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës, i cili po e ushtron mandatin e dytë, në tetor kishte bërë të ditur se synimi i tij i radhës është posti i kryeministrit.
Rama ka fituar dy herë zgjedhjet për kryetar të Prishtinës nën siglën e LDK-së ndonëse në vazhdimësi ka deklaruar se nuk ka librezë të kësaj partie.
Ai nuk e ka fshehur dëshirën as për ta drejtuar LDK-në.

