Prokuroria Themelore në Prishtinë me detaje të reja për hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, dyshohet se jo vetëm kishte përcjellë lëvizjet e saj para vrasjes, por edhe kishte qenë e pranishme në shtëpi në momentin kur djali i saj, Albert Sylaj, e sulmoi Arlindën me sëpatë.
Prokuroria pretendon se Nurije Sylaj nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ishte e pranishme dhe në dijeni për atë që po ndodhte.
Në telefonin e Nurije Sylajt, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet. Kjo video dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.
Prokuroria dyshon se këto veprime ishin pjesë e një koordinimi paraprak me personat e tjerë, me qëllim të sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke lehtësuar kështu planin e dyshuar për vrasjen e saj.
Përveç dyshimeve për përcjelljen e viktimës, Nurije Sylaj dyshohet edhe se pas vrasjes ka tentuar t’i devijojë hetimet.
Në deklaratën e dhënë në cilësinë e dëshmitares, ajo kishte pretenduar se Arlinda e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë, ndërsa vetë kishte qenë pa ndjenja në momentin e vrasjes.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, këto pretendime nuk përputhen me provat e deritanishme, veçanërisht me incizimet e kamerave të sigurisë, në njërën prej të cilave shihet një pjesë e zhvillimit të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.
Për këto veprime, Nurije Sylaj dyshohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë”.
Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj Driton Sylajt, i cili dyshohet se ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së vrasjes.
Sipas Prokurorisë, ai kishte përcjellë lëvizjet e Arlinda Zekajt dhe kishte siguruar informacione për vendndodhjen e saj. Më 23 tetor, ai dyshohet se e kishte incizuar viktimën duke ecur në qytet dhe videon ia kishte dërguar Nurije Sylajt përmes WhatsApp-it.
Hetimet në këtë rast janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, si dhe Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit.

