Mar. Nën 24th, 2026

Franca krijon rezerva strategjike të metaleve të rralla, Macron synon të ulë varësinë nga Kina

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur një projekt për krijimin e rezervave strategjike të metaleve të rralla dhe lëndëve të para kritike, me synimin për të reduktuar varësinë e industrisë franceze nga furnizimet e huaja, veçanërisht nga Kina.

Projekti u prezantua gjatë një takimi me dyer të mbyllura mes Macronit dhe përfaqësuesve të industrisë, në pallatin Elysee. Menaxhimi i këtyre rezervave do t’i besohet Caisse des Depots,(Arka e Depozitave) institucionit financiar publik francez, i cili do të nisë konsultimet me sektorët industrialë që varen nga furnizimi me këto materiale.

Nisma synon të funksionojë sipas modelit të rezervave strategjike të naftës, duke garantuar furnizimin me lëndë të para që janë thelbësore për industrinë, teknologjinë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Përveç krijimit të rezervave, plani i Macron parashikon edhe një mekanizëm të blerjeve të përbashkëta të metaleve strategjike. Megjithatë, ende nuk janë përcaktuar sektorët që do të përfitojnë nga ky mekanizëm dhe as shuma totale e investimit.

Si shembull është marrë edhe nisma e Shteteve të Bashkuara, të cilat në fillim të këtij viti njoftuan një investim prej 12 miliardë dollarësh për krijimin e rezervave të metaleve të rralla, në një sasi që synon të mbulojë rreth dy muaj të konsumit kombëtar.

Franca synon që projekti të nisë zbatimin që vitin e ardhshëm, megjithëse afatet konkrete dhe detajet financiare ende nuk janë bërë publike.

Sigurimi i furnizimit me metale të rralla është kthyer në një çështje strategjike për ekonomitë perëndimore, për shkak të rëndësisë së këtyre materialeve në prodhimin industrial dhe teknologjik.

Kina ka një rol dominues në zinxhirin global të furnizimit me metale të rralla, çka ka shtuar shqetësimet për varësinë e vendeve evropiane nga importet dhe ndikimin që mund të kenë kufizimet tregtare në industrinë e tyre.

Ndërkohë, krijimi i një rezerve kombëtare të mineraleve është përfshirë edhe në programin politik të kandidatit të La France Insoumise, Jean-Luc Mélenchon.

Megjithatë, zbatimi i projektit francez mund të ndikohet edhe nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pasi nisma kërkon vendimmarrje dhe angazhim afatgjatë institucional.

Postime të Ngjashme