Nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda kësaj jave. Këtë e ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.
Ajo tha se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në draftin e projektligjit, ndërsa shprehu pritjen që versioni i parë të jetë i gatshëm gjatë ditës së sotme.
Çitaku theksoi se kjo nismë duhet të ketë mbë
shtetje të gjerë politike dhe qytetare, duke shtuar se ajo tashmë nuk përfaqëson vetëm Partinë Demokratike të Kosovës, por ka edhe mbështetjen institucionale të Republikës së Kosovës.
“Brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvend nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo nismë të gëzojë unitetin e plotë politik e qytetar në Kuvend. Është shumë e rëndësishme që kjo nismë nuk është vetëm e PDK-së, tashmë kjo nismë ka vulën e institucioneve të Republikës. Ekspertët janë duke i bërë ndërhyrjet e fundit dhe besoj se sot do ta pranojmë një draft të parë, ndërsa brenda javës do ta procedojmë si nismë ligjore në Kuvend”, deklaroi Çitaku.
Ajo bëri të ditur se PDK-ja do të jetë e hapur për bashkëpunim me subjektet e tjera politike gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionet parlamentare, duke pranuar edhe këshilla e rekomandime për përmirësimin e tij.
Sipas Çitakut, synimi është që projektligji të shqyrtohet dhe të miratohet sa më shpejt, në të dyja leximet.
“Do të jemi të hapur që gjatë punës në komisionet funksionale të bashkëbisedojmë, të marrim këshilla e rekomandime. Synimi ynë, dhe jo vetëm i PDK-së, është që brenda një afati optimal ky ligj të kalojë në të dyja leximet”, u shpreh ajo.
Duke folur për raportet me Lëvizjen Vetëvendosje dhe dallimet politike mes dy subjekteve, Çitaku tha se pavarësisht kundërshtive, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një vlerë që, sipas saj i bashkon të gjitha partitë politike.
