Qytetarët e huaj që aplikojnë për herë të parë për lejeqëndrim në Kosovë, nga sot mund ta realizojnë këtë procedurë online, përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se shërbimi i ri synon të lehtësojë procedurat administrative dhe të përshpejtojë procesin e aplikimit.
Sipas tij, digjitalizimi i këtij shërbimi do t’u mundësojë shtetasve të huaj qasje më të shpejtë dhe më të thjeshtë në procedurat për pajisje me lejeqëndrim.
“Nga sot, aplikimet për herë të parë për Lejeqëndrim në Republikën e Kosovës mund të realizohen online, përmes platformës shtetërore e-Kosova”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka sqaruar se aplikimi online mund të bëhet vetëm nga personat që ndodhen brenda territorit të Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Në kuadër të këtij shërbimi të digjitalizuar, aplikimi do të mund të bëhet vetëm nga brenda territorit të Republikës së Kosovës, siç e parasheh legjislacioni ynë në fuqi”, ka theksuar ministri.
Sveçla ka shtuar se kjo reformë është pjesë e përpjekjeve për modernizimin e administratës publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Aplikimi për herë të parë për lejeqëndrim mund të realizohet përmes platformës e-Kosova, në adresën: https://ekosova.rks-gov.net/744

