Është arrestuar i dyshuari për të shtënat me armë zjarri që ndodhën mesditën e sotme në Suharekë, ku mbeti i vrarë një person rreth 60-vjeçar, me inicialet S.Daka.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ai bëri të ditur se, pas veprimeve operative dhe hetimore, Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin, i cili është kapur në afërsi të fshatit Nepërbisht, derisa po tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa ndaj tij do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Ndërkohë, njësitet përkatëse policore kanë siguruar vendin e ngjarjes dhe po vazhdojnë procedurat hetimore për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Kujtojmë se rasti ishte raportuar rreth orës 12:20, kur një person i panjohur kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili më pas kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

