Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ngritur sërish shqetësime lidhur me importin e energjisë elektrike dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e sektorit të energjisë. Bajrami ka thënë se importi i energjisë elektrike bëhet nga KEDS, KESCO, KEK dhe KOSTT, ndërsa i gjithë procesi zhvillohet nën mbikëqyrjen e KOSTT-it.
Ajo ka theksuar se KOSTT-i ka obligim ta njoftojë Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për çdo manipulim apo parregullsi, ndërsa kjo e fundit duhet të ndërmarrë masa.
“KOSTT-i duhet me i tregu ZRRE-së për çdo manipulim dhe parregullsi, e ZRRE-ja duhet me marrë masa. ZRRE-ja, për operimin në sektorin e energjisë, i licencon të gjithë operatorët, privatë dhe jo vetëm. Licencon KEDS-in, KESCO-n, KEK-un dhe vetë KOSTT-in”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka akuzuar se ZRRE-ja dhe KOSTT-i janë të kapura, duke pretenduar se këto institucione prej kohësh i shërbejnë Qeverisë.
“Skemat e kapjes së ZRRE-së dhe KOSTT-it tashmë janë të dëshmuara. Ka kohë që këto institucione janë dorë e zgjatur e Qeverisë e Qeveria tregoi sot kujt i ka shërbyer që 7 vjet”, ka përfunduar Bajrami.

