Më 13 nëntor 2026, në kuadër të angazhimeve institucionale, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, realizoi një vizitë në xhaminë “Besa” në Viener Neustadt të Austrisë.
Ai u prit nga kryetari i xhamisë, z. Lulzim Rushiti, dhe anëtarët e xhamisë, ndërsa para xhematit të pranishëm mbajti ligjëratën dhe hytben e xhumasë.
Në ligjëratën e tij, drejtori Simnica trajtoi rëndësinë e besimit, edukimin fetar të brezave të rinj, ruajtjen e identitetit fetar e kombëtar dhe rolin e xhamive në organizimin e jetës islame në diasporë.
Me këtë rast, ai përcolli selamet dhe përshëndetjet e Myftiut Naim ef. Ternava, si dhe shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e Bashkësisë Islame për kontributin e vazhdueshëm të xhematit, si në funksionimin dhe zhvillimin e xhamisë së tyre, ashtu edhe në mbështetjen e institucioneve fetare dhe arsimore në vendlindje. Veçanërisht u vlerësua solidariteti i tyre në mbështetjen dhe mirëmbajtjen e Medresesë dhe Fakultetit të Studimrve Islame, institucione që kanë një rëndësi të veçantë për edukimin dhe përgatitjen e kuadrove të ardhshme fetare.
Gjatë takimit me drejtuesit e xhamisë u diskutua edhe për sfidat dhe nevojat e xhematit, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Bashkësinë Islame të Kosovës në vendlindje.
Në fund, drejtori Simnica vlerësoi angazhimin e Kryesisë, imamit dhe të gjithë xhematit, duke theksuar se kontributi i diasporës në ruajtjen dhe fuqizimin e institucioneve fetare është një dëshmi e lidhjes së qëndrueshme me vendlindjen dhe trashëgiminë tonë islame

