Asnjë shqiptar në mesin e dhjetëra të punësuarve në Spitalin e Kumanovës. Punësimet e fundit në këtë institucion kanë hapur debat për përfaqësimin etnik, ndërsa drejtori Sasho Stoshevski vazhdon të heshtë.
Ndërsa ditë më parë janë angazhuar edhe 62 persona me kontrata. Sipas të dhënave që posedojmë, të gjithë rreth 80 të punësuarit, janë të përkatësisë etnike maqedonase. Sipas opozitës, ky rezultat vjen si pasojë e premtimeve të rrejshme të VLEN-it që balancuesin do ta kthejnë në fuqi ligjore.
“Ju po e shihni se shqiptarët po përjashtohen po diskriminohen, ky Konkursi në spitalin e Kumanovës ku mbi 60 maqedonas dhe zero shqiptarë janë pranuar është në vazhdën e konkurseve që po realizohen gjithandej, kjo është ajo që e shfuqizuan balancuesin, që thoshin këta të vlenit se balancuesin do ta avancojmë do ta bëjmë me ligj, ja po i shihni pasojat”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi tha se ai dhe partia të cilës i taon ai do të shqyrtojnë këtë vendim të drejtorit në nivel partishë dhe brenda komisionit kadrovik, ndërsa paralajmëroi se sikur në Spitalin e Kumanoës ashtu edhe në institucionet tjera do të ketë punësime të reja.
“Normalisht që edhe aty do të ketë punësime edhe të rajonit, konkretisht të qytetit të Kumanovës, por edhe përreth vendit”, theksoi Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Spitali i Kumanovës nën menaxhimin e Sasho Stoshevskit ishte në shënjestër edhe muaj më parë, mbi avancimet dhe emërimet nëpër klinikat e këtij spitali. Stoshevski kishte paralajmëruar rregullimin e përfaqësimit dhe respektimin e meritokracisë, por deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Në nivel qendror dhe lokal së fundi janë bërë qindra punësime, ndërsa përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është respektuar pothuajse në asnjë prej institucioneve

