Enj. Nën 12th, 2026

I mbijetoi 2 luftërave botërore dhe dhjetëra konflikteve, historia e dyqanit 112-vjeçar të sanduiçëve në Bejrut

Një dyqan i vogël falafeli në Bejrut të Libanit ka arritur t’u mbijetojë 2 luftërave botërore dhe dhjetëra konflikteve, duke ruajtur të njëjtën traditë familjare për 112 vjet.

Familja Tabbara ka shërbyer falafel për banorët e kryeqytetit libanez që nga viti 1914, shumë kohë përpara krijimit të shtetit të Libanit. Sot, brezi i katërt po përgatitet të marrë drejtimin e biznesit, raporton Associated Press (AP).

Mohammed Tabbara, 82 vjeç, vazhdon të punojë pas banakut të dyqanit në lagjen e njohur Hamra të Bejrutit, ku përgatit sanduiçe tradicionale që kushtojnë vetëm 3 dollarë.

“Kam klientë të shpërndarë në të gjithë botën. Të gjithë vijnë për të ngrënë falafel, sepse e njohin aromën dhe shijen”, thotë ai.

Sanduiçët përgatiten me qofte të vogla në formë unaze, të bëra nga bathët e bluara dhe të skuqura në vaj. Ato mbështillen me bukë tradicionale libaneze dhe shërbehen me tranguj turshi, domate, majdanoz, salcë tahini dhe një salcë pikante të përgatitur në shtëpi.

 

 

Historia e biznesit nisi në vitin 1914, kur Kamel Tabbara, stërgjyshi i brezit aktual, hapi dyqanin e parë në lagjen Bab Idriss të Bejrutit, në kohën kur qyteti ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane.

Më pas, biznesi kaloi te djali i tij Ahmad, ndërsa nga viti 1950 u drejtua kryesisht nga Mohammed Tabbara. Dyqani aktual, i vendosur në një rrugë të ngushtë të kryeqytetit, funksionon në të njëjtin vend që nga viti 1979.

“Kam kaluar 40 luftëra”, thotë Mohammed, duke iu referuar luftërave civile, pushtimit izraelit të Libanit në vitin 1982, konflikteve ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, si dhe përplasjeve të tjera që kanë goditur vendin.

Pavarësisht trazirave politike dhe krizave ekonomike, ai nuk e ka ndërprerë traditën e përgatitjes së falafelit.

Mohammed nisi të punonte në dyqan që në moshën 6-vjeçare, duke ndihmuar babanë e tij. Edhe sot, ai vazhdon të marrë porositë dhe të përgatisë sanduiçë, ndërsa shumë prej klientëve i njeh personalisht prej dekadash.

Njëri prej tyre është Jean Matta, 60 vjeç, i cili punon në lagje dhe blen falafel te familja Tabbara që nga viti 1992.

“Është krokant, i shijshëm dhe i pastër”, thotë ai.

Tani Mohammed po ia përcjell sekretet e zanatit djalit të tij 40-vjeçar, Ziad Tabbara, një ish-kontabilist që prej 6 vjetësh punon me kohë të plotë në biznesin familjar.

“Kjo është një shije që ka bërë histori dhe një trashëgimi që është përcjellë brez pas brezi”, thotë Ziad.

Receta e veçantë e familjes përgatitet me bathë australiane, të cilat lihen në ujë gjatë natës, bluhen dhe përzihen me kripë dhe erëza të ndryshme, përfshirë koriandrën.

Mohammed pretendon se ishte i pari në Liban që prezantoi falafelin në formë unaze, të mbuluar me fara susami, në mënyrë që të skuqet mirë nga brenda dhe të mbetet krokant nga jashtë.

Ai i kushton rëndësi edhe pastërtisë, duke ndërruar vajin e gatimit çdo ditë dhe duke larë perimet me uthull e kripë.

Për familjen Tabbara, ruajtja e shijes tradicionale është më shumë sesa një biznes. Është një trashëgimi që ka kaluar nëpër luftëra, kriza dhe ndryshime historike.

Megjithatë, e ardhmja e traditës mbetet e pasigurt. Ziad nuk ka fëmijë të cilëve mund t’ua trashëgojë zanatin, gjë që e shqetëson babanë e tij, i cili dëshiron ta shohë të martuar dhe me familje.

“Dashtë Zoti, do të vazhdoj të ofroj të njëjtën shije”, thotë Ziad, duke shpresuar se tradita 112-vjeçare e familjes do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

 

Postime të Ngjashme