Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se republikanët nuk arritën të komunikonin siç duhet mesazhin e tyre me votuesit, duke komentuar humbjen në zgjedhjet e mesit të mandatit, të zhvilluara më 3 nëntor. Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS, Trump pranoi gjithashtu se politika e ashpër e deportimeve dhe lufta në Iran patën një kosto politike për administratën e tij.
“Mendoj se po, sepse MAGA është në thelb logjikë e shëndoshë”, deklaroi Trump, duke e përshkruar lëvizjen si një platformë që mbështet kufij të fortë, një ushtri të fuqishme dhe krijimin e pasurisë.
Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, në të cilat republikanët humbën kontrollin si të Dhomës së Përfaqësuesve, ashtu edhe të Senatit, Trump pranoi se strategjia e komunikimit nuk kishte funksionuar.
Ai argumentoi se rezultati mund të kishte qenë ndryshe nëse vetë do të kishte qenë kandidat, duke pretenduar se disa votues nuk morën pjesë në zgjedhje, ndërsa të tjerë nuk u bindën nga kandidatët republikanë.
Megjithatë, presidenti pranoi se lufta në Iran, rritja e çmimeve të karburantit dhe pakënaqësia e një pjese të votuesve për qëndrimin ndaj Izraelit ndikuan në rezultatin zgjedhor.
“Mendoj se ishte menaxhim i dobët i komunikimit, ndoshta nga ana ime. Ne nuk arritëm ta përcillnim mesazhin”, u shpreh ai.
Trump kritikoi gjithashtu median amerikane, duke e akuzuar se nuk pasqyronte mjaftueshëm zhvillimet pozitive të administratës së tij, ndërsa këmbënguli se ekonomia amerikane ishte në gjendje më të mirë nga sa perceptohej nga votuesit.
Një tjetër pjesë e intervistës iu kushtua luftës në Iran dhe deklaratave të nënpresidentit JD Vance, i cili kishte lidhur humbjen e republikanëve me konfliktin ushtarak.
Trump zbuloi se Vance ishte konsultuar me të përpara se të shprehte publikisht qëndrimin e tij dhe se ai e kishte inkurajuar të thoshte atë që mendonte realisht.
Megjithatë, presidenti amerikan këmbënguli se vendimi për ndërhyrjen ushtarake ishte i drejtë dhe se do ta merrte sërish nëse do të ishte e nevojshme.
“Nëse do të na duhej ta bënim përsëri, a do ta bënim përsëri? Përgjigjja është po”, deklaroi Trump, duke argumentuar se ndërhyrja ishte e nevojshme për të parandaluar Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore.
Në një tjetër moment të intervistës, Trump pranoi se politika e tij e ashpër e deportimeve mund të ketë ndikuar negativisht në mbështetjen e republikanëve.
“Ishte shumë e ashpër. Mendoj se ishte ndoshta shumë e ashpër, po”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo politikë e kishte dëmtuar politikisht.
Presidenti pranoi se një pjesë e amerikanëve beson se emigrantët që mund të kenë hyrë në mënyrë të paligjshme në vend, por që kanë punuar për vite me radhë në SHBA, duhet të lejohen të qëndrojnë.
Intervista për “60 Minutes”, e regjistruar më 6 nëntor dhe transmetuar më 8 nëntor, përfshiu gjithashtu diskutime mbi të ardhmen politike të lëvizjes MAGA, pasardhësit e mundshëm të Trump dhe marrëdhëniet e tij me kundërshtarët politikë.

