Enj. Nën 5th, 2026

Raporti i BE-së: Dialogu Kosovë-Serbi pa rezultate konkrete, aneksi i Ohrit mbetet kryesisht e pazbatuar

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të karakterizohet nga mungesa e rezultateve konkrete, zvarritja e zbatimit të marrëveshjeve dhe tensionet politike mes dy vendeve. Pavarësisht takimeve të vazhdueshme në nivel të kryenegociatorëve dhe atij teknik, përparimi në përmbushjen e obligimeve të marra përsipër nga palët mbetet i kufizuar. Kështu vlerëson Bashkimi Evropian në raportin për Kosovën për vitin 2026, duke theksuar se veprimet e njëanshme dhe retorika politike kanë vazhduar ta dëmtojnë procesin e normalizimit. Një ndër shqetësimet kryesore të evidentuara në raport është moszbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksit të saj, të njohur si Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, raporton KosovaPress.

BE-ja rikujton se kjo marrëveshje është juridikisht e detyrueshme për të dyja palët dhe se zbatimi i saj nuk duhet të pengohet nga çfarëdo formaliteti lidhur me miratimin apo formalizimin e saj. Megjithatë, sipas raportit, as Kosova dhe as Serbia nuk kanë shënuar përparim të mjaftueshëm në përmbushjen e obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe marrëveshjet e mëparshme të dialogut.

Në mesin e çështjeve që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas raportit, nuk është shënuar progres i mëtejshëm në këtë drejtim, ndërsa Kosova pritet të ndërmarrë hapat për fillimin e procesit, në përputhje me obligimet e saj nga dialogu. Në të njëjtën kohë, Serbia pritet të nisë procesin e njohjes së dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës. BE-ja kërkon që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe pa vonesa të mëtejshme.

Serbia kritikohet për mosrespektimin e obligimeve të saj nga Marrëveshja e Ohrit, përfshirë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës dhe INTERPOL. Shqetësim i veçantë mbetet edhe mungesa e hapave konkretë për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra një zyrtar i Policisë së Kosovës. BE-ja vlerëson se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap domethënës për adresimin e përgjegjësisë për këtë sulm.

Një tjetër çështje që ka mbetur e bllokuar është riintegrimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit tjetër serb në institucionet e drejtësisë së Kosovës. Edhe pse tërheqja e dorëheqjeve nga ana e tyre, më 15 korrik 2026, u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit në sistemin e drejtësisë, vendimet e mëvonshme të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe të ushtruesit të detyrës së Presidentit, e penguan vazhdimin e këtij procesi. BE-ja vlerëson se këto vendime janë në kundërshtim me objektivat dhe zotimet e Kosovës që burojnë nga Marrëveshja për Drejtësinë e vitit 2015.

Përveç çështjeve politike dhe institucionale, raporti evidenton ngecje edhe në zbatimin e marrëveshjeve teknike. Marrëveshjet për energjinë, telekomunikacionin, kadastrën, njohjen e diplomave universitare dhe menaxhimin e integruar të kufirit vazhdojnë të mos zbatohen plotësisht. Në fushën e menaxhimit të kufirit, nga gjashtë pikat e përhershme të përbashkëta të kalimit kufitar, deri më tani janë krijuar vetëm dy, në Merdarë dhe Mutivodë. Ndërsa në fushën e energjisë, moszgjidhja e çështjes së kapaciteteve të transmisionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të ndikojë në sigurinë e furnizimit dhe konkurrencën në treg.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive. Funksionalizimi i plotë i skanerit të mallrave në pikën kufitare në Merdarë gjatë verës së vitit 2026 ka lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe ka reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes. Po ashtu, BE-ja ka mirëpritur zbatimin e marrëveshjes për Ligjin për të Huajt dhe mundësitë e krijuara për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile në sistemin e Kosovës përmes dokumenteve të lëshuara nga Serbia.

Një hap tjetër pozitiv është shënuar në çështjen e personave të pagjetur. Mbajtja e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët në janar të vitit 2026 dhe takimi teknik i prillit për qasjen në arkiva janë vlerësuar si zhvillime në drejtim të zbatimit të Deklaratës Politike për Personat e Pagjetur. Megjithatë, BE-ja kërkon bashkëpunim të mëtejshëm nga të dyja palët dhe shmangien e politizimit të kësaj çështjeje humanitare.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian nënvizon se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një kusht thelbësor për avancimin e të dyja vendeve drejt integrimit evropian. Mungesa e rezultateve konkrete dhe moszbatimi i marrëveshjeve rrezikojnë të pengojnë më tej perspektivën evropiane të të dyja palëve. Për BE-në, sfida nuk qëndron më vetëm në arritjen e marrëveshjeve të reja, por mbi të gjitha në zbatimin e atyre që tashmë janë nënshkruar dhe në përmbushjen e zotimeve të marra nga Prishtina dhe Beograd

Postime të Ngjashme