Mër. Tet 21st, 2026

MPB-ja reagon ndaj raportit të DASH-it për trafikimin me njerëz: Është shënuar progres në disa fusha

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin me qenie njerëzore, duke theksuar se në disa fusha është shënuar progres në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.

Sipas MPB-së, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për identifikimin e viktimave, ndjekjen penale të personave të dyshuar dhe ofrimin e mbështetjes për personat e prekur nga trafikimi me njerëz.

Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Kosova vazhdon të renditet në nivelin e dytë për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore. DASH-i vlerëson se institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje për ta luftuar këtë dukuri, por ende nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale në këtë fushë.
MPB-ja ka bërë të ditur se trafikimi me qenie njerëzore përbën një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor. Viktimat përballen me forma të ndryshme shfrytëzimi, përfshirë punën e detyruar, shfrytëzimin seksual dhe lypjen e detyruar. Veçanërisht të rrezikuar janë fëmijët, të rinjtë dhe personat që ndodhen në rrethana të cenueshme, të cilët kanë nevojë për mbrojtje të veçantë dhe reagim të koordinuar institucional e shoqëror.

Ministria thekson se qasja e saj strategjike përqendrohet në identifikimin e hershëm të viktimave, mbrojtjen e tyre dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me qëllim parandalimin e rasteve të trafikimit dhe luftimin efektiv të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë vitit 2025, institucionet identifikuan 13 viktima të trafikimit me njerëz, ndërsa në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile u ofrua ndihmë për 18 viktima. Në të njëjtën periudhë, janë arrestuar 274 të dyshuar dhe janë ngritur kallëzime penale ndaj 290 personave për vepra penale që lidhen me trafikimin me njerëz, mundësimin ose detyrimin në prostitucion, marrjen me prostitucion dhe vepra të tjera.

MPB-ja ka ngritur gjithashtu shqetësimin për ndikimin e zhvillimit të teknologjisë dhe përdorimit të gjerë të internetit e rrjeteve sociale, të cilat kanë krijuar mundësi të reja për rekrutimin dhe mashtrimin e viktimave të mundshme. Për këtë arsye, ministria po intensifikon aktivitetet për vetëdijesimin dhe informimin e qytetarëve rreth shenjave paralajmëruese të trafikimit dhe mënyrave për identifikimin e hershëm të situatave të rrezikshme.

Në kuadër të fushatës për parandalimin e kësaj dukurie, MPB-ja planifikon të vazhdojë informimin e qytetarëve përmes mesazheve SMS lidhur me mënyrat e raportimit të rasteve të trafikimit. Gjithashtu, do të organizohen ligjërata me nxënës dhe mësimdhënës në shkollat në mbarë vendin, si dhe do të shpërndahen materiale dhe mesazhe informuese.

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe partnerët vendorë e ndërkombëtarë, do të vazhdojë zbatimin e masave parandaluese, identifikimin dhe referimin e viktimave dhe viktimave të mundshme, si dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen dhe mbështetjen e tyre.

Në fund, MPB-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj ofertave të dyshimta dhe të jenë vigjilentë në rastet kur persona të caktuar kontrollohen, kërcënohen, u bëhet presion ose detyrohen të punojnë kundër vullnetit të tyre. Institucioni thekson se raportimi me kohë i rasteve të dyshimta mundëson ndërhyrjen e autoriteteve dhe parandalimin e shfrytëzimit të mëtejmë të personave në rrezik.

Sipas ministrisë, çdo raportim trajtohet në mënyrë konfidenciale, duke ruajtur të dhënat e personave raportues në përputhje me legjislacionin në fuqi

Postime të Ngjashme