Pre. Tet 16th, 2026

Sveçla: Keqpërdorimi i pozitës zyrtare nuk do të tolerohet, suspendohen tre policë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) për suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të dyshuar për ngacmim seksual dhe kontrollim të kundërligjshëm.

Sveçla ka mirëpritur angazhimin e përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për hetimin e rastit, duke theksuar se keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nuk do të tolerohet.

Përmes një postimi, ministri ka thënë se nuk do të lejojë që veprimet e individëve të caktuar të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës dhe të pjesëtarëve të saj, të cilët shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.

“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, që me profesionalizëm shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë. Misioni i Policisë së Kosovës është shërbimi ndaj qytetarëve dhe pa asnjë kompromis dënojmë çdo keqpërdorim që bëhet për çfarëdo përfitimi në emër të saj”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës ndërtohet mbi profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjësinë. Sipas tij, Inspektorati Policor i Kosovës mbetet mekanizëm thelbësor i llogaridhënies, duke siguruar që çdo shkelje e mundshme të trajtohet me seriozitet dhe pa kompromis.

 

 

Rasti për të cilin u rekomandua suspendimi

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë pas një rasti që dyshohet se ka ndodhur në mesnatën e 15 tetorit, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen “Lakërishte”.

Sipas ankesës, një shofere që po drejtonte veturën ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë. Më pas, sipas pretendimeve të saj, ata i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.

Rasti po trajtohet nga organet përkatëse, ndërsa Sveçla ka bërë të qartë se çdo keqpërdorim i pozitës zyrtare duhet të trajtohet pa kompromis….

Postime të Ngjashme