Mbi 110 projekte të reja dhe të modernizimit, me vlerë mbi 15 miliardë euro vetëm në infrastrukturën publike, pritet të prezantohen në Balkan Summit 2026, i cili do të mbahet më 19 dhe 20 tetor në Prishtinë.
Projektet përfshijnë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa synimi i samitit është që këto tri tregje të prezantohen si një platformë e përbashkët investimesh, me qëllim tërheqjen e kompanive ndërkombëtare, financuesve dhe institucioneve zhvillimore, transmeton KosovaPress.
Organizatori i samitit, Driton Dalipi, ka thënë se fokusi i këtij organizimi është konkretizimi i projekteve dhe krijimi i partneriteteve ndërmjet institucioneve publike, kompanive zbatuese dhe institucioneve financiare.
“Sepse kështu e shohin këtë rajon investitorët seriozë. Tregjet tona, veç e veç, janë të vogla dhe një kontraktor global apo një bankë zhvillimore do ta ketë të vështirë të arsyetojë kostot e hyrjes në treg për vetëm disa projekte në një shtet. Por, kur i bashkojmë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kemi një portofol të konsiderueshëm projektesh, korridore të përbashkëta dhe një logjikë të vetme. Ne nuk po u kërkojmë investitorëve të zbulojnë tri tregje të vogla. Po u ofrojmë një treg të vetëm rajonal me tri pika hyrëse. Mali i Zi, Bosnja, Kroacia dhe Bullgaria mund t’u bashkohen Samiteve të ardhshme Ballkanike”, thotë Dalipi.
“Fokusi te projektet Samiti Ballkanik është konceptuar si një platformë për arritjen e marrëveshjeve, jo thjesht si një platformë për diskutime. Ne i bëjmë bashkë ministritë dhe institucionet publike që i kanë në përgjegjësi projektet, kompanitë që mund t’i ndërtojnë dhe operojnë ato, si dhe institucionet financiare që mund t’i financojnë. Pyetja të cilës duam t’i përgjigjet çdo sesion është e thjeshtë: Çfarë është gati? Çfarë ka ende nevojë për përgatitje? Dhe kush mund ta çojë përpara?”, thotë Dalipi.
Ai ka shtuar se qëllimi është që secila seancë të ndihmojë në përcaktimin e hapave të ardhshëm për projektet dhe të qartësojë se cilat prej tyre janë të gatshme për investime. Derisa tregon edhe sa sektorë janë të përfshirë.
“Gjerësia e fushave të përfshira është e qëllimshme. Transporti, energjia, uji dhe infrastruktura digjitale nuk ekzistojnë të ndara nga njëra-tjetra. Një qendër e të dhënave ka nevojë për energji. Energjia ka nevojë për lidhje me rrjetin. Ndërsa industria ka nevojë për rrugë, hekurudha dhe fuqi punëtore të kualifikuar. Kur i shqyrtojmë së bashku transportin, mjedisin dhe ujin, energjinë dhe qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale, industrinë e turizmit, shërbimet digjitale dhe bujqësinë e industrinë ushqimore, kuptojmë se si një investim e forcon arsyeshmërinë e një investimi tjetër. Pikërisht këtu qëndron vlera rajonale”, thekson Dalipi.
Duke folur për përvojën e tij në projekte zhvillimore, ai thotë se më shumë se dy dekada punë me Bashkimin Evropian, Bankën Botërore dhe USAID-in kanë ndikuar në konceptimin e samitit, veçanërisht në kuptimin e sfidave që projektet përballin nga faza e planifikimit deri te zbatimi.
“Kjo qasje përcakton gjithçka. Dy dekada përvojë në realizimin e programeve të financuara nga donatorët të mësojnë se si projektet kalojnë nga ideja në zbatim dhe ku ngecin gjatë këtij procesi. Ne e njohim gjuhën e ministrive, të kontraktorëve dhe të financuesve. E dimë gjithashtu se besueshmëria ndërtohet përmes rezultateve konkrete, jo përmes njoftimeve. Certifikimet tona ISO pasqyrojnë të njëjtën disiplinë. Cilësia, siguria e informacionit, qëndrueshmëria operacionale dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk janë thjesht slogane për ne. Ato përfaqësojnë mënyrën se si punojmë”, nënvizon Dalipi.
Sa i përket vazhdimësisë së nismës, Dalipi bën të ditur se plani është që pas edicionit të parë në Prishtinë, samiti të mbahet në Tiranë më 2027 dhe në Shkup më 2028.
Sipas tij, rotacioni i nikoqirëve synon t’u japë vendeve pjesëmarrëse mundësi për të udhëhequr platformën dhe për të vazhduar diskutimet për projektet dhe partneritetet e nisura në edicionet paraprake. kp

