Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka mbajtur takim me përfaqësues të postave dhe ofruesve të shërbimeve postare, ku është diskutuar për mbikëqyrjen e tregtisë dhe bizneseve online.
Sipas tij, problem paraqet fakti se disa prej këtyre veprimtarive nuk janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ndërsa disa nuk posedojnë dokumentacionin përcjellës për produktet që shesin.
“Kemi rritje të ankesave të konsumatorëve të cilët marrin shërbime ose blejnë produkte, por nuk kanë se ku të adresohen”, tha Tafarsiku.
Ai theksoi se për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut paraqet problem edhe identifikimi i këtyre bizneseve, pasi, sipas tij, ato shpesh ndryshojnë qasjet në platformat online ose numrat e kontaktit, duke e bërë të vështirë adresimin e ankesave.
Tafarsiku u bëri thirrje përfaqësuesve të postave që të inkurajojnë bizneset me të cilat bashkëpunojnë të formalizohen dhe të regjistrohen në ARBK.
“Është aplikim shumë i lehtë dhe nuk ka kosto buxhetore apo burokraci. Nuk është e nevojshme që asnjë biznes të jetë ilegal”, tha ai.
Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve tjera, me qëllim të koordinimit të veprimeve për mbikëqyrjen e tregtisë online dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

