Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë takimeve, presidentja ka shprehur solidaritetin e saj me familjet, duke theksuar se kjo është një periudhë e vështirë si për to, ashtu edhe për Republikën e Kosovës.
Shiroka-Pula ka ritheksuar se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ish-krerët e UÇK-së në këtë fazë, në përputhje me përgjegjësitë dhe mundësitë institucionale.
Ajo ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Sipas saj, mbrojtja e së vërtetës historike dhe e dinjitetit të të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit mbetet e rëndësishme.
Gjatë vizitave, presidentja i ka informuar familjet se, duke respektuar afatet ligjore, do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe se Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, ka deklaruar presidentja Shiroka-Pula.





