Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve është rritur rreth 300 herë brenda më pak se një dekade.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse të projektit PIAKOS, me temën “Nga e drejta në veprim”, Kurti tha se në vitin 2016 në të gjithë Kosovën ishin vetëm rreth 100 prona të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve, ndërsa sot ky numër ka arritur në rreth 31 mijë.
Ai theksoi se bashkëpunimi i Qeverisë me Qendrën për Avokim dhe Trajnime, ATRC, ka sjellë rezultate konkrete për qytetarët, veçanërisht për gratë. Përmes këtij projekti është ofruar mbështetje e drejtpërdrejtë në 16 komuna të Kosovës, duke ndihmuar qytetarët në rregullimin e dokumentacionit pronësor, procedurat e trashëgimisë dhe shërbimet gjeodezike.
Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, tha se e drejta e pronës nuk është vetëm çështje dokumentesh, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë familjare, pavarësinë ekonomike, dinjitetin dhe barazinë e qytetarëve. Ai theksoi se gratë, komunitetet joshumicë dhe grupet e cenueshme vazhdojnë të përballen me mungesë informacioni për realizimin e të drejtave pronësore.
Ndërkaq, menaxherja e projektit, Odeta Noks, bëri të ditur se gjatë tri viteve të zbatimit janë mbështetur mbi shtatë mijë familje, më shumë se gjysma e përfituesve kanë qenë gra, ndërsa janë trajnuar mbi 600 zyrtarë.
Projekti kishte një buxhet prej 3.2 milionë dollarësh dhe në kuadër të tij janë realizuar rreth 1 mijë e 800 aktivitete informuese dhe ndërgjegjësuese.
Në përmbyllje të aktivitetit është shfaqur edhe dokumentari “Bëje tënden. Regjistroje pronën”, i cili paraqet rezultatet dhe përfitimet e projektit për qytetarët e Kosovës.

