Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur në Pragë për sulmin terrorist në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të këtyre rasteve për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit.
Konjufca ka rikujtuar se sulmi në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, përbëjnë ngjarje serioze që kanë cenuar sigurinë e vendit.
Ai ka theksuar se përgjegjësit për sulmin në Banjskë duhet të përballen me drejtësinë, ndërsa ka ngritur shqetësimin për faktin se personat e përfshirë në këtë rast vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.
Duke iu referuar sulmit në Ibër-Lepenc, Konjufca ka vënë në pah rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës kritike, e cila është thelbësore për furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës.
Sipas tij, këto ngjarje dëshmojnë se kërcënimet ndaj Kosovës nuk janë hipotetike, por përvoja konkrete me të cilat vendi është përballur.
Konjufca ka theksuar gjithashtu se Kosova është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta rajonale për parandalimin e sulmeve të tilla dhe forcimin e sigurisë.

