Hën. Tet 12th, 2026

Kurti falënderon komandantin e KFOR-it, Ulutaş: Largohet nga Kosova me kujtime të mira

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin gjatë dy mandateve të tij në krye të misionit të NATO-s në Kosovë.

Gjatë takimit, Kurti ka bërë të ditur se është diskutuar për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO, zhvillimet aktuale politike, si dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

Në fokus të bisedës ishte edhe forcimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të vendit dhe KFOR-it.

Kurti ka vlerësuar se komunikimi me gjeneralmajorin Ulutaş gjatë kohës sa ai ka udhëhequr misionin e NATO-s ka qenë konstruktiv, duke theksuar se komandanti po largohet nga Kosova si mik.

“Gjatë dy mandateve të tij në krye të KFOR-it, komunikimi me gjeneralmajorin Özkan Ulutaş ka qenë konstruktiv. Ai largohet nga vendi ynë si mik, me të cilin do të ruajmë kujtime të mira”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e deritanishëm, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të KFOR-it.

Postime të Ngjashme