Policia ka marrë në pyetje 23 persona gjatë dy ditëve të fundit, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Beqir Devollit, i njohur me nofkën Çilo Hundërri, i cili humbi jetën pas një atentati me lëndë shpërthyese në Gjirokastër.
Grupi hetimor po përqendrohet në të kaluarën e viktimës, marrëdhëniet e tij me persona të ndryshëm dhe kontaktet që mund të ndihmojnë në zbardhjen e motivit të atentatit. Po ashtu, hetuesit po shqyrtojnë lëvizjet e tij para ngjarjes dhe mundësinë që autorët ta kenë ndjekur përpara shpërthimit.
Në mesin e personave të marrë në pyetje është edhe Erigers Mela, i cili kishte njohje shoqërore me viktimën. Sipas informacioneve të bëra publike, Mela u ka deklaruar hetuesve se nuk kishte armiqësi me askënd dhe se me Devollin e lidhte një marrëdhënie shoqërore. Të dy njiheshin prej kohësh dhe, sipas burimeve, përdornin herë pas here edhe automjetet e njëri-tjetrit. Erigers Mela është djali i ish-prokurorit të ndjerë Përparim Mela.
Në polici kanë dëshmuar edhe familjarët e viktimës. Ata kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt apo armiqësi të tij me persona të tjerë. Sipas familjarëve, Devolli kishte qenë vazhdimisht i shqetësuar kohët e fundit, por këtë gjendje e lidhnin me faktin se ishte i papunë.
Deri më tani, personat e pyetur kanë dhënë informacione lidhur me njohjet dhe raportet që kishin me viktimën. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të qartë se marrja në pyetje nuk nënkupton se këta persona janë të dyshuar për përfshirje në vrasje.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e lëndës shpërthyese të vendosur në automjetin e viktimës përllogaritet të ketë qenë rreth 300 gramë TNT.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e autorëve, përcaktimin e motivit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit që i mori jetën Beqir Devollit.

