Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje kredie në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për sigurimin e pajisjeve moderne mjekësore dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore.
Investimi do të përfshijë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, si dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Gjilan. Shuma prej 41 milionë eurosh do të financohet në mënyrë të barabartë nga të dyja bankat.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se marrëveshja do të mundësojë investime të rëndësishme në pajisje mjekësore dhe infrastrukturë, duke përmirësuar kushtet për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se modernizimi i institucioneve shëndetësore dhe teknologjisë mjekësore është ndër prioritetet e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030. Sipas tij, kjo strategji parasheh përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimin afatgjatë të institucioneve me pajisje moderne.
Nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, ka vlerësuar se projekti do të mundësojë diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes më cilësor për pacientët në Kosovë.
Edhe përfaqësuesi i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Johannes Böhmer, ka theksuar rëndësinë e një sistemi të fortë shëndetësor, duke e cilësuar kujdesin shëndetësor si një nga shërbimet themelore që institucionet publike duhet t’ua sigurojnë qytetarëve.

