Die. Tet 11th, 2026

Kamberi: Vuçiqi po përpiqet të pengojë ndërkombëtarizimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se po përpiqet të pengojë ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kamberi ka reaguar ndaj qëndrimeve të Vuçiqit për bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke vlerësuar se kjo çështje ka rëndësi përtej numrit të deputetëve që mund të fitojnë shqiptarët.

Sipas tij, shqetësimi i presidentit serb lidhet edhe me mundësinë që përfaqësuesit shqiptarë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe t’i adresojnë problemet e komunitetit shqiptar në institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Kamberi ka theksuar se përfaqësimi politik i shqiptarëve nuk duhet të matet vetëm me numrin e mandateve në Kuvend, por edhe me aftësinë për të ngritur çështje që lidhen me diskriminimin, pasivizimin e adresave dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve.

Ai ka vlerësuar se deputetët shqiptarë mund të luajnë rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e këtyre problemeve, përmes adresimit të tyre te institucionet evropiane, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, NATO-ja, vendet e QUINT-it dhe institucionet amerikane.

Kamberi ka kritikuar gjithashtu përpjekjet për ta zhvendosur debatin nga të drejtat e shqiptarëve te pretendimet se përfaqësuesit e tyre po veprojnë kundër interesave të Serbisë.

Sipas tij, një qasje e tillë e largon vëmendjen nga përgjegjësitë e institucioneve serbe për respektimin e të drejtave të pakicës shqiptare dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndër vite.

Në përfundim, Kamberi ka theksuar se një përfaqësim i bashkuar dhe i pavarur i shqiptarëve mund të ketë ndikim të rëndësishëm politik e diplomatik, edhe nëse numri i deputetëve të tyre në Parlamentin e Serbisë mbetet i kufizuar.

Postime të Ngjashme