Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar mesazhe urimi nga homologët e saj të Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pas zgjedhjes në krye të shtetit.
Presidenti finlandez, Alexander Stubb, i ka dëshiruar suksese në ushtrimin e detyrës, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në funksion të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.
Ndërkaq, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka shprehur besimin se raportet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë do të thellohen edhe më tej. Ajo ka rikonfirmuar mbështetjen e vendit të saj për forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe për vazhdimin e angazhimit të përbashkët në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka përgëzuar Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës, duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës përballë sfidave dhe në rrugëtimin drejt së ardhmes evropiane.
Në anën tjetër, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka shprehur bindjen se udhëheqja e re në Kosovë do të ndihmojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror.
Ajo gjithashtu ka vënë në pah rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të mbështetura në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, duke shprehur gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve.

