Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka marrë pjesë në takimin e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Rahovec, të udhëhequr nga kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi.
Gjatë takimit është diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunë, sfidat dhe prioritetet në këtë fushë, si dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve qendrore e lokale dhe mekanizmave të sigurisë.
Në adresimin e tij, Dugolli ka theksuar rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, me qëllim të parandalimit të dukurive negative, rritjes së sigurisë publike dhe trajtimit me kohë të shqetësimeve të qytetarëve.
Ai ka vlerësuar se siguria në bashkësi ndërtohet përmes bashkëpunimit, përgjegjësisë institucionale dhe besimit të ndërsjellë.
Dugolli ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në mbështetjen e komunave dhe mekanizmave përkatës, për forcimin e sigurisë dhe krijimin e një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët.

