Zyra e Rregullatorit për Energji nuk i ka përfshirë në agjendën e mbledhjes së parë të Bordit të ri aplikimet për licencat e furnizuesve privatë të energjisë elektrike, të cilave u ka skaduar afati gjatë muajit shtator.
Në anën tjetër, në rendin e ditës janë përfshirë aplikimet e Korporatës Energjetike të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
Mbledhja e dhjetë e Bordit të ZRRE-së për vitin 2026 është paraparë të mbahet më 9 tetor, duke filluar nga ora 14:00. Krahas aplikimeve të KEK-ut, në agjendë janë edhe kërkesa për autorizime për vetëkonsum nga biznese dhe persona fizikë.
Ndërkohë, KosovaPress i ka drejtuar pyetje ZRRE-së për të kuptuar arsyet pse aplikimet e KEK-ut janë përfshirë në rendin e ditës, ndërsa ato të prodhuesve privatë me licenca të skaduara jo.
Agjencia ka kërkuar gjithashtu informacione se sa kompani private kanë licenca të skaduara ose aplikime për vazhdimin e tyre në pritje të shqyrtimit, si dhe nëse për KEK-un dhe prodhuesit privatë zbatohen të njëjtat standarde ligjore dhe procedurale.

