Enj. Tet 8th, 2026

Bajqinovci për presidenten e re: Shiroka-Pula është figurë konsensuale dhe nuk i përket askujt politikisht

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka folur për presidenten e zgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar atë si një figurë konsensuale dhe të përshtatshme për postin e presidentes.

Bajqinovci ka deklaruar se Shiroka-Pula nuk është e lidhur politikisht me ndonjë subjekt dhe se prej një periudhe të gjatë është larguar nga angazhimi politik.

“Nuk mendoj që i përket askujt. Është konsensuale, sepse znj. Pula është kryetare e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Një kohë të gjatë ka dalë prej politikës, nuk ka asnjë post politik dhe zyrtar në PDK. Është në ASHAK dhe mendoj që është zonjë e qëlluar”, tha Bajqinovci.

Ai ka treguar se Shiroka-Pula ka qenë disa herë e ftuar në emisionet ku ai ka marrë pjesë, duke veçuar edhe qëndrimet e saj lidhur me privatizimin e KEDS-it.

“Kam pasur fatin ta kem disa herë në emisione. Ka qenë kritike ndaj privatizimit të KEDS-it”, u shpreh ai.

Bajqinovci është shprehur gjithashtu i kënaqur që zgjedhja e presidentes ka shmangur mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja.

“Jam shumë i gëzuar që vendi më s’shkon në zgjedhje”, deklaroi deputeti.

Postime të Ngjashme