Numri i viktimave nga epidemia më e rëndë e Ebolës në historinë e Kongos ka kaluar shifrën 4 mijë, sipas të dhënave të publikuara sot, pavarësisht përpjekjeve intensive të autoriteteve dhe organizatave ndërkombëtare për ta vënë nën kontroll përhapjen e infeksionit.
Epidemia u shkaktua nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola. Ajo e ka tejkaluar shpërthimin e viteve 2018–2020, duke u bërë epidemia më e madhe dhe më vdekjeprurëse në historinë e vendit afrikan, raporton KosovaPress.
Për sa i përket numrit të viktimave, kjo është epidemia e dytë më e madhe e Ebolës në nivel global, duke u renditur menjëherë pas shpërthimit që goditi Afrikën Perëndimore midis viteve 2014 dhe 2016, periudhë gjatë së cilës u infektuan më shumë se 28 600 njerëz dhe humbën jetën mbi 11 000 të tjerë në Guine, Liberi dhe Sierra Leone.
Më shumë se dy mijë persona të infektuar janë shëruar nga sëmundja. Qeveria e Kongos dhe Kombet e Bashkuara njoftuan muajin e kaluar se kishte shenja të ngadalësimit të përhapjes së infeksionit në disa pjesë të provincës Ituri, ku nisi shpërthimi. Megjithatë, virusi vazhdon të përhapet me shpejtësi në lindje të vendit, përfshirë provincën fqinje të Kivu-së Veriore.
Muajin e kaluar, provinca Ubangi Jugor, në veriperëndim të vendit, u bë provinca e shtatë që shpalli shpërthimin e epidemisë, pasi një burrë që kishte udhëtuar nga pjesa lindore e vendit vdiq si pasojë e virusit.

