Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar këtë pasdite në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.
Burime bëjnë të ditur se një paketë e dyshimtë dyshohet se është hedhur nga lart, ndërsa brenda saj është vërejtur një mjet i dyshimtë me telekomandë.
Rreth orës 17:00, Policia e Kosovës pranon informatën për rastin dhe menjëherë ndërmerr masat e sigurisë në zonë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmon se qytetarët janë evakuuar nga një perimetër i caktuar, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar njësitet përkatëse policore.
“Rreth orës 17:00, kemi pranuar një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën ‘Rrustem Hyseni’, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë”, deklaron Pllana.
Njësitet përkatëse vazhdojnë ta trajtojnë rastin, ndërsa zona mbetet nën masa sigurie.


