Lideri i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka deklaruar se është koha që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë fuqi më të madhe politike dhe përfaqësim më të madh në Kuvendin e Serbisë.
“Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike, pasi që në realitet e kemi atë, të jemi të përfaqësuar me një numër më të madh deputetësh në Kuvend, në mënyrë që të përpiqemi t’i zgjidhim problemet tona”, ka thënë Kamberi për Radio Evropa e Lirë.
Deklarata e Kamberit vjen pas marrëveshjes së arritur mes tetë subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilat do të garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 25 tetor, në një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”.
Për këtë marrëveshje ka njoftuar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka bërë të ditur se pas bisedimeve dhe përpjekjeve për afrimin e qëndrimeve, partitë shqiptare kanë arritur një zotim të përbashkët për të garuar në një listë.
Kurti ka falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për të ndarë përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Në marrëveshje janë përfshirë Shaip Kamberi nga PVD-ja, Visar Memeti nga APN-ja, Nagip Arifi nga PD-ja, Agim Sabedini nga PDSH-ja, Shqiprim Musliu nga LPD-ja, Sami Salihu nga LR-ja, Armend Aliu nga AL-ja dhe Naser Aziri nga UDSH-ja.
Në njoftimin e tij, Kurti ka ngritur edhe çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës në Parlamentin e Serbisë. Ai ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet të kenë së paku pesë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë, duke e krahasuar këtë me dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi janë caktuar të mbahen më 25 tetor, ndërsa partitë shqiptare do të garojnë të bashkuara në listën “Koalicioni Shqiptar”.

