Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se incidenti në bazën ajrore RAF Fairford, e cila përdoret nga ushtria amerikane, “qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj”.
Duke folur për mediat amerikane, Rubio nuk dha detaje të tjera, por falënderoi autoritetet britanike për bashkëpunimin dhe ndihmën.
Pesë burrat e arrestuar pranë bazës nën dyshimin për vepra terroriste u liruan me kusht të hënën.
Të pestë janë shtetas britanikë, në të 20-at e tyre dhe me banim në Londër. Ata ishin arrestuar në bazë të Ligjit për Eksplozivët dhe nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist.
Ndërkohë, ndihmëskomisioneri Laurence Taylor, drejtues i policisë britanike kundër terrorizmit, tha se hetimet po vazhdojnë.
Taylor tha se policia po shqyrton disa pista, përfshirë mundësinë që në incident të jenë përfshirë persona që veprojnë si ndërmjetës në emër të një shteti të huaj. Ambasada e Iranit në Mbretërinë e Bashkuar ka mohuar çdo përfshirje.
Një perimetër i gjerë sigurie vazhdon të jetë i vendosur pranë bazës, ndërsa 85 familjeve, të evakuuara të dielën, u është thënë nga Policia e Gloucestershire se mund të kthehen në shtëpitë e tyre, raporton BBC.

