Hën. Sht 28th, 2026

Haxhiu për vendimin e Speciales: Duhet të përgatitemi që të bjerë edhe akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale

Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit dhe aktualisht ushtrues ee detyrës së Presidentit në një intervistë ekskluzive në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se fokusi duhet të jetë te përgatitja që të bjerë edhe akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

”Sepse kjo në thelb prek UÇK-në”, ka thënë ajo.

Më tej ajo është shprehur se pas këtij vendimi të gjykatës ”është shumë e rëndësishme të ketë një strategji shtetërore”.

Duke folur për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale, Haxhiu e ka cilësuar atë të padrejtë dhe shumë të rëndë për Kosovën, veçanërisht për familjet dhe fëmijët që janë rritur gjatë kësaj periudhe.

“UÇK-ja është formuar për shkak të shtypjes, represionit, dhunës, vrasjeve, dëbimeve dhe helmimeve që kanë ndodhur para luftës. Shumë prej nesh kemi qenë në moshë të re, por jo aq të re sa të mos e mbajmë mend periudhën e vështirë nëpër të cilën kemi kaluar”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se vendimi e prek edhe personalisht, duke përmendur se babai, bashkëshorti dhe familjarë të bashkëshortit të saj kanë qenë pjesë e UÇK-së.

“E vlerësoj si një vendim të padrejtë, si një vendim shumë të rëndë për Republikën e Kosovës. Çështja e ndërmarrjes së përbashkët kriminale vazhdon të mbetet shqetësim serioz. Ne nuk e dimë cili do të jetë qëndrimi i Prokurorisë së Specializuar lidhur me akuzat që kanë rënë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të përgatitemi që të bjerë edhe akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka thënë Haxhiu.

Postime të Ngjashme