Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se për çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara nevojitet kujdes i madh dhe ekspertizë, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë po e analizon propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ajo ka thënë se kur të përfundojë analiza, Ministria e Drejtësisë do t’ia dërgojë Qeverisë opinionin e saj, duke mos e vonuar atë
“Sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe këto ditë kërkojnë bashkërendim të gjithë neve për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Shumica e gjërave që lidhen me dhomat e specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme. Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, tha ajo.
Gërvalla ka folur edhe për 26 shtatorin, duke përmendur masakrën e familjes Deliu në Abri të Epërme dhe referendumin për pavarësinë e Kosovës.
“Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme u krye një nga masakrat më mizore të Serbisë: gjenocidale vrasja e 23 anëtarëve të familjes Deliu. Ky është një fakt i pamohueshëm, siç është e pamohueshme edhe e vërteta jonë për Luftën Çlirimtare. Askush nga autorët e krimit nuk u dënua deri sot për këtë masakër mizore. Gjithashtu, data 26 shtator 1991 na kujton fillimin e referendumit për pavarësinë e Kosovës, i cili u mbajt deri më 30 shtator, dhe ku me dukshëm më shumë se 90% të votave qytetarët e Kosovës e shpallën Kosovën Republikë të Pavarur. Referendumi u mbajt edhe në Tiranë, në një zyrë të thjeshtë, mijëra qytetarë të Kosovës votuan për pavarësi edhe pikërisht në atë zyrë. Ndihem shumë krenare dhe ndihem shumë e privilegjuar që e kam bashkëorganizuar dhe drejtuar këtë proces të rëndësishëm. Sot Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht”, tha ajo.

