Pre. Sht 25th, 2026

Kuvendi i Prishtinës miraton propozim-vendimin për themelimin e NPL “Pastrimi”

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi”.

Në votimin e zhvilluar gjatë mbledhjes, 34 asamblistë votuan për, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime.

Propozuesi i kësaj pike, Leotrim Retkoceri, tha se themelimi i ndërmarrjes është i rëndësishëm për kryeqytetin, duke e lidhur këtë edhe me mosnënshkrimin e garancionit të huamarrjes nga Ministria e Financave.

Retkoceri: Themelimi i NPL “Pastrimi” është me rëndësi për kryeqytetin

“Themelimi i kësaj ndërmarrjeje është me rëndësi për kryeqytetin. Marr parasysh rrethanat edhe faktorët me të cilët jemi, kjo vjen edhe si pasojë e mosnënshkrimit të garancionit të huamarrjes nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe është rruga që kryeqyteti ta ketë ndërmarrjen e vet ku menaxhon, organizon dhe e pastron qytetin dhe nuk ka barrën dhe peshën e komunave të tjera, të cilat kanë mangësi në inkasim, modernizim, ndërsa Ndërmarrja ‘Pastrimi’, kjo që është regjionalja, ka për barrë financat, makinerinë, menaxhimin e të gjitha komunave përreth”, tha Retkoceri.

Kundwrshtime ndaj këtij propozimi pati nga shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, i cili tha se VV-ja nuk do ta mbështesë themelimin e ndërmarrjes së re.

Sveçla kundër themelimit të “Pastrimit”: Po duan ta falimentojnë ndërmarrjen

“Është një tendencë me vazhdu klientelizimin e shpërfaqur nga PDK të shpërndarë në shumicën e ndërmarrjeve të kryeqytetit, që ka rezultu me ndërmarrje mandej që bankrotojnë edhe me punëtorë që nga dy muaj ditë nuk i marrin pagat. Kjo është një kërkesë për një mundësi të re që një pjesë të tregut t’ia japin operatorit privat, në kundërshtim nga ajo çfarë kanë deklaruar në dhjetor të vitit 2024. Prishtina e ka ndërmarrjen e vet, kompania ‘Pastrimi’, kjo ndërmarrje i ka ndërprerë pothuajse të gjitha aktivitetet në komunat tjera dhe mund të koncentrohet vetëm në Prishtinë. Qytetarët duhet ta dinë se po duan ta bankrotojnë ‘Pastrimin’ dhe një pjesë të punëtorëve ta dërgojnë në ndërmarrjen e re. VV nuk e mbështet një propozim të tillë”, deklaroi Sveçla.

Postime të Ngjashme