Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit ka thënë se nuk ka pasur deri tani ndonjë kërkesë të proceduar për seancë të jashtëzakonshme, pas vendimit të Speciales.
“Sa u përket kritikave, nuk ka pasur kërkesë që është proceduar për seancë të jashtëzakonshme. Sapo të më vij kërkesa, do ta procedoj. Ne sot jemi dakorduar që të procedojmë seancën e së hënës. Është e rëndësishme të funksionalizojmë kuvendin dhe uroj që të hënën ta bëjmë këtë”, tha Haxhiu.
Duke folur për projektligjin e proceduar nga PDK-ja, Haxhiu tha se çdo veprim institucional pas vendimit të Gjykatës Speciale duhet të bëhet me kujdes.
Ajo tha se nuk do të mbështesë iniciativa që, sipas saj, kanë për qëllim vetëm të krijojnë përshtypjen se po ndërmerret ndonjë veprim.
“Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative, që ka qellim vetem me u duk që po bëjmë dicka. Mos të bëjnë propozime që s’kanë ndonjë peshë, vetëm të duket që po bëjnë diçka. Secili nga ne duhet të jemi të kujessshëm për të ndermarrë vendime të duhura dhe të drejta.
Haxhiu tha se, sa i përket projektligjit të PDK-së, e ka pyetur përfaqësuesin e kësaj partie, Arian Tahirin, se me kë është konsultuar për këtë nismë.
Sipas saj, çdo ndryshim dhe plotësim i ligjit duhet të shqyrtohet në komisionin për legjislacion dhe të konsultohen ekspertët e fushës.
“Unë mendoj që çfarëdo që bëjmë, duhet të vijë në komisionin për legjislacion dhe të draftohen ndryshimet dhe plotësimet e ligjit. Së paku duhet të konsultohen ekspertët e fushës. Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar, që është gabim”, tha Haxhiu.

