Enj. Sht 24th, 2026

Tre vjet nga sulmi në Banjskë, Radoiçiq endet i lirë nëpër Serbi

Tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, Milan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që më 24 shtator 2023 sulmoi Policinë e Kosovës. Megjithatë, ndaj tij në Serbi ende nuk është ngritur aktakuzë për Banjskën. Sipas të dhënave të publikuara këtë vit, ai ndodhet në Beograd, me detyrim paraqitjeje në polici 2 herë në muaj dhe nuk mund të largohet nga Serbia pa lejen e gjykatës.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 nisi në orët e para të mëngjesit, pasi një urë në Banjskë ishte bllokuar me kamionë.

Njësitet policore që shkuan në vendngjarje u sulmuan me armë. Rreshteri 50-vjeçar Afrim Bunjaku mbeti i vrarë.

Zyrtari policor Alban Rashiti u plagos, ndërsa lëndime pësuan edhe pjesëtarë të tjerë të Policisë.

Përleshjet e armatosura vazhduan për disa orë. Gjatë operacionit të Policisë u vranë 3 pjesëtarë të grupit të armatosur serb.

Pjesa tjetër e grupit u largua nga Kosova.

Grupi, i përbërë nga dhjetëra persona të armatosur dhe me uniforma ushtarake, ishte vendosur në Manastirin e Banjskës dhe përreth tij.

Policia më pas ekspozoi arsenalin e sekuestruar. Në mesin e tij kishte armë të rënda, granatahedhës, automjete të blinduara, pajisje komunikimi dhe sasi të mëdha municioni.

3 vjet më vonë, pamja në Banjskë është krejt tjetër.

Manastiri, që më 24 shtator 2023 u përdor si strehë nga pjesëtarë të grupit të armatosur, është pothuajse i zbrazët.

Lëvizje të pakta vërehen edhe në pjesë të tjera të fshatit të banuar me shumicë serbe.

Patrullimet e Policisë së Kosovës vazhdojnë, ndërsa pjesëtarët policorë janë të pranishëm edhe pranë objekteve të marra nën kontroll nga institucionet.

Radoiçiq në Serbi, Kosova e akuzoi si udhëheqës të grupit

Përderisa situata në Banjskë ka ndryshuar, Milan Radoiçiq vazhdon të jetë jashtë juridiksionit të institucioneve të Kosovës.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin, me Radoiçiqin si një prej të akuzuarve kryesorë dhe drejtues të grupit.

Vetë Radoiçiq kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur.

Ai është gjithashtu i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për Radoiçiqin dhe dhjetëra të akuzuar të tjerë që ndodhen në arrati, Prokuroria Speciale kishte kërkuar gjykim në mungesë.

Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë kërkesën si të pabazuar.

Serbia, ndërkohë, nuk i ka dorëzuar të kërkuarit për sulmin në Banjskë, përkundër kërkesave të autoriteteve të Kosovës dhe thirrjeve ndërkombëtare.

Avokati i Alban Rashitit kërkonte gjykim edhe ndaj të arratisurve

Pjesë e njësisë policore që u sulmua ishte edhe Alban Rashiti.

Avokati i tij, Naim Rudari, kishte deklaruar për KosovaPress se Rashiti ishte plagosur së bashku me Afrim Bunjakun.

“Unë përfaqësoj zyrtarin Alban Rashiti, i cili është plagosur ditën kritike së bashku me të ndjerin Afrim Bunjaku. Fatbardhësisht ka shpëtuar, por është në gjendje të rëndë psikike”, kishte deklaruar Rudari.

Ai kishte kërkuar që drejtësia të përfshinte edhe personat që ndodhen jashtë Kosovës.

“Kemi pritur që lidhur me këtë çështje të fillojë edhe gjykimi në mungesë ndaj atyre që janë në arrati, e sidomos për Milan Radoiçiqin”, kishte deklaruar ai.

2 burgime të përjetshme dhe 30 vjet burgim

Zhvillimi më i madh gjyqësor në këtë rast erdhi më 24 prill 2026.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë Blagoje Spasojeviqin, Vladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviqin.

Spasojeviq dhe Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Maksimoviq me 30 vjet burgim.

Në dënimet e shqiptuara u llogarit edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, tha se të akuzuarit, së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit që ndodhen në arrati, kishin vepruar me role të ndryshme gjatë sulmit.

Sipas aktgjykimit, pjesëtarët e grupit kishin hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve malore.

Ata kishin përdorur dhjetëra automjete, disa prej tyre të blinduara, armë të rënda, municion, raketahedhës, eksploziv dhe pajisje të tjera ushtarake.

Gjykata konstatoi se fillimisht ishte bllokuar rruga te ura e fshatit me 2 kamionë.

Kur policët kishin mbërritur për ta liruar rrugën, ndaj tyre ishte hapur zjarr.

“Me ç’rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku”, deklaroi Arrni gjatë shpalljes së vendimit.

Sipas gjykatës, sulmi kishte edhe një objektiv më të gjerë.

“Përmes këtij plani mirë të organizuar, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë”, deklaroi Arrni.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, në fjalën përfundimtare kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të 3 të akuzuarit.

Burgim të përjetshëm kishte kërkuar edhe pala e dëmtuar që përfaqësonte policët e lënduar dhe familjen e Afrim Bunjakut.

Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq i kishin mohuar akuzat në fillim të gjykimit.

Në aktakuzë edhe Radoiçiq

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën gati 1 vit pas sulmit.

Në mesin e të akuzuarve kryesorë është Milan Radoiçiq, të cilin Prokuroria e konsideron udhëheqës të grupit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen ndër të tjera me “kryerjen e veprës terroriste” dhe “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Disa prej të akuzuarve ngarkohen edhe për financim të grupit dhe shpëlarje të parasë.

Në prill të këtij viti ishte arrestuar edhe Stefan Raduloviq, i dyshuar për përfshirje në sulm.

Për Radoiçiqin dhe 40 të akuzuar të tjerë që ndodheshin në arrati, Prokuroria Speciale kishte kërkuar gjykim në mungesë.

Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë kërkesën si të pabazuar.

Kosova përkujton Afrim Bunjakun

Në 3-vjetorin e sulmit, institucionet e Kosovës përkujtojnë sot rreshterin Afrim Bunjaku.

Në orën 10:00 është paraparë vizitë te familja Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë.

Në orën 10:40 do të bëhen homazhe te varri i tij.

Në orën 12:00, në Banjskë, do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Programi përmbyllet në orën 20:00 me Akademinë Përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Postime të Ngjashme