Ekspertja për siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Ivana Stradner, ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së një zyrtari të Komisionit Zgjedhor të Serbisë në një forum në Moskë, pak para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë vend.
Stradner publikoi një fotografi nga paneli “Sovraniteti zgjedhor në epokën digjitale: Përmbledhje e zgjedhjeve”, i mbajtur më 22 shtator në kuadër të forumit ndërkombëtar “Dialog about Fakes 4.0” në Moskë, transmeton KosovaPress.
Në panel mori pjesë Marko Jankoviq, nënkryetar i Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë. Sipas TASS-it, ai kishte qenë gjithashtu vëzhgues ndërkombëtar në zgjedhjet ruse për Dumën Shtetërore më 2026.
“Regjimi i Vuçiqit po përgatitet për zgjedhjet në tetor dhe qeveria serbe po merr pjesë në një panel për sovranitetin zgjedhor në Rusi, ku Lavrov sapo mbajti një fjalim”, shkroi Stradner në X.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishte mbajtur fjalim në ceremoninë e hapjes së forumit të njëjtën ditë, sipas TASS-it.
Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Presidenti Aleksandar Vuçiq shpërndau Kuvendin më 9 shtator dhe caktoi zgjedhjet për 25 tetor 2026. Vendimi u mor pas propozimit të Qeverisë së Serbisë të 7 shtatorit.
Në panelin në Moskë morën pjesë edhe përfaqësues nga Rusia dhe vende të tjera, përfshirë anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor rus.

