Die. Sht 20th, 2026

Osmani përkujton Ahmet Krasniqin: Sot, kujtimi për të është edhe një thirrje për drejtësi

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin në përvjetorin e vrasjes së tij, duke theksuar kontributin e tij për ndërtimin e strukturave ushtarake dhe angazhimin për lirinë e Kosovës.

Osmani tha se Krasniqi “jetën dhe dijen e tij ia kushtoi Kosovës dhe lirisë së saj”, ndërsa ka kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

“Sot, në përvjetorin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, përulemi me respekt para kujtimit të një ushtaraku që jetën dhe dijen e tij ia kushtoi Kosovës dhe lirisë së saj”, shkroi ajo.

Osmani tha se “koloneli ishte ndër ata burra që, në ditët më të vështira, nuk u tërhoqën para përgjegjësisë historike. Ai punoi për ndërtimin e strukturave ushtarake që do ta mbronin popullin dhe idealin e lirisë”.

“U vra në një kohë kur Kosova kishte më shumë se kurrë nevojë për njerëz të përkushtuar ndaj saj. Por vrasja nuk e vrau idealin për të cilin ai jetoi. Kosova e lirë dhe shteti i saj janë dëshmia më e fuqishme se sakrifica e tij nuk ishte e kotë”, shkroi ajo.

“Sot, kujtimi për Ahmet Krasniqin është edhe një thirrje për drejtësi. Një shtet që respekton të rënët e vet nuk pajtohet kurrë me heshtjen për vrasjet e tyre. E vërteta dhe drejtësia janë detyrim ndaj historisë, ndaj familjes së tij dhe ndaj brezave që do të vijnë. Lavdi e përjetshme kolonel Ahmet Krasniqit”, shtoi Osmani.

Postime të Ngjashme