Enj. Sht 17th, 2026

Bajraktari: Vendimi i Speciales skandaloz, skena politike në Kosovë të bëhet bashkë

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, e cilësoi si “skandaloz” vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së, duke vlerësuar se sot është ditë “e trishtueshme për Kosovën, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare”.

“Ata u dënuan sepse qëndruan me popullin e tyre kundër shtypjes, brutalitetit, pastrimit etnik dhe mizorive të regjimit serb. Në anën tjetër, bota po e lejon Serbinë që të ikë nga përgjegjësia për vrasjen e mbi 10.000 personave dhe masakrimin e tyre dhe për përdhunimin e mbi 20.000 grave. Kjo është një nga padrejtësitë më të mëdha në histori. Është absurde”, shkroi ai.

Statusi i plotë:

“Sot është një ditë shumë e rëndë, jo vetëm për Kosovën dhe popullin e saj, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare

Kjo e ashtuquajtur Gjykatë Speciale në Hagë dha një vendim skandaloz duke bërë një padrejtësi të rëndë me dënimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Ata u dënuan sepse qëndruan me popullin e tyre kundër shtypjes, brutalitetit, spastrimit etnik dhe mizorive të regjimit serb. Në anën tjetër, bota po e lejon Serbinë t’i ikë përgjegjësisë për më shumë se dhjetë mijë njerëz të vrarë e të masakruar, dhe për më shumë se 20 mijë gra të dhunuara. Kjo është një nga padrejtësitë më të mëdha në histori. Është absurde.

Tani pyetja është: ÇFARË DUHET TË BËJMË? Sot, udhëheqësit politikë të Kosovës dhe të gjithë ne duhet të reflektojmë.

Kosova duhet të jetë e përgatitur dhe e fortë që ta sfidojë këtë padrejtësi. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë dhe as e shkurtër. Për ta fituar këtë betejë, përçarjet mes udhëheqësve politikë DUHET TË MARRIN FUND SOT.

Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK duhet të bashkohen për ta mbrojtur popullin e Kosovës. Nuk përfitojmë asgjë nga urrejtja, përçarjet, fajësimet apo lojërat politike.

Tani, më shumë se kurrë, Kosovës i duhen institucione stabile, unitet, pjekuri politike, zhvillim ekonomik, ushtri më e fortë dhe angazhim serioz në Washington, Bruksel, Londër, Paris, Berlin dhe kudo ku diskutohet e ardhmja e Kosovës.

Ne duhet të punojmë së bashku, ditë e natë, për t’i treguar botës fytyrën e vërtetë të popullit të Kosovës dhe për ta mposhtur fushatën agresive të Serbisë kundër Kosovës.

Duke punuar për një Kosovë të zhvilluar e të suksesshme, ne nderojmë sakrificën e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Ne nderojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit e saj që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Kjo është e vetmja mënyrë për ta fituar këtë betejë.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar

Postime të Ngjashme