Mër. Sht 16th, 2026

Ambasadori gjerman: U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph ka reaguar lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të shpallur sot në gjyqin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën sot vendimin e tyre. Çështja kishte të bënte me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Siç theksoi gjykatësi kryesues gjatë shpalljes së vendimit, në gjyq nuk ishte vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e as qëllimi i saj për një Kosovë të pavarur.

Gjermania e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara që në fillim, me bindjen se kjo përbën një kontribut të rëndësishëm për ballafaqimin me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Duke themeluar Dhomat e Specializuara dhe duke bashkëpunuar me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), Kosova ka dëshmuar se po e përmbush përgjegjësinë e saj – përfshirë ballafaqimin me krimet e luftës – si një shtet i pavarur dhe sovran.

Ky vendim nuk i shfajëson në asnjë mënyrë aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të kryera ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90 – shkelje që tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe që nxitën ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin dhe dinjitetin e viktimave”.

Postime të Ngjashme