Pre. Sht 11th, 2026

Avokati i Popullit kundërshton kthimin retroaktiv të pagave pas uljes së koeficienteve

Avokati i Popullit ka vlerësuar se punonjësit publikë nuk duhet të detyrohen ta kthejnë diferencën e pagës pas uljes së koeficienteve.

Në një përmbledhje të opinionit të publikuar në lidhje me këtë cështje, ky institucion ka analizuar procesin e korrigjimit të koeficienteve pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Rasti është hapur sipas detyrës zyrtare, pasi Avokati i Popullit kishte pranuar disa ankesa. Sipas njoftimit, kjo çështje prek një numër relativisht të madh të zyrtarëve publikë.
Avokati i Popullit vlerëson se ndryshimi i koeficienteve përbën proces administrativ. Për këtë arsye, ai duhet të zhvillohet sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Në opinion thuhet se veprimet administrative me efekt retroaktiv duhet të mbështeten qartësisht në ligj. Megjithatë, nuk është konstatuar nëse institucionet i kanë respektuar këto dispozita gjatë uljes së koeficienteve.

Sipas Avokatit të Popullit, zyrtarët nuk duhet të përballen me ndryshimin e pagës pa plotësimin e kushteve ligjore. Një veprim i tillë, sipas këtij institucioni, cenon sigurinë juridike dhe pritshmërinë legjitime të punonjësve.
“Detyrimi i punonjësve që ta kthejnë në mënyrë retroaktive diferencën e pagës nuk duket se bart frymën e sundimit të ligjit”, thuhet në opinion, transmeton KosovaPress.

Avokati i Popullit vlerëson se kjo masë mund të ketë cenuar edhe pronën e punonjësve.

Ai kërkon që Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë dhe institucionet e tjera të veprojnë në përputhje me ligjin dhe parimin e sigurisë juridike.

Postime të Ngjashme