Ushtria gjermane po vlerëson rreth 30 mjete të inteligjencës artificiale (AI) që synojnë të përshpejtojnë vendimmarrjen ushtarake në fushëbetejë, me synimin që një sistem i tillë të vendoset fillimisht në formë prototipi gjatë vitit 2027.
Viceadmirali Thomas Daum, kreu i Komandës Kibernetike të ushtrisë gjermane, tha për Handelsblatt se është optimist që një prototip mund të jetë gati në tremujorin e dytë të vitit 2027, ndërsa zbatimi i plotë pritet në vitin 2028.
Lufta në Ukrainë ka treguar rëndësinë e dronëve dhe satelitëve, të cilët gjenerojnë sasi të mëdha të të dhënave.
Përpunimi i tyre me AI shihet si mënyrë për të analizuar informacionin shumë më shpejt sesa mund ta bëjnë njerëzit, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Shumica e mjeteve që po shqyrtohen janë zhvilluar nga kompani gjermane, ndërsa në garë është edhe kompania franceze ChapsVision.
Gjermania, për momentin, ka përjashtuar blerjen e Maven Smart System të kompanisë amerikane Palantir Technologies , sistem që po përdoret nga SHBA-ja, NATO-ja dhe disa aleatë për analizimin e të dhënave nga fushëbeteja.
Kundërshtimet në disa vende evropiane lidhen kryesisht me frikën nga varësia teknologjike ndaj SHBA-së dhe çështjen e sovranitetit mbi të dhënat.

