Në prag të 16 shtatorit, Kosova po i numëron ditët deri te vendimi për ish-krerët e UÇK-së. Në prag të kësaj date, Prishtina është mbushur me flamuj, murale dhe aktivitete në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Nga zjarret simbolike te “Marshi për Liri”, mesazhi mbetet i njëjtë: pritje për drejtësi dhe liri.
Drita që gradualisht zbulon portretet në këtë mural, pasqyron edhe shpresën për dritë e drejtësi më 16 shtator. Një dritë që nuk është vetëm simbolike, por bart edhe besimin se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë.
Teksa kjo datë po afrohet, në Kosovë po shtohen organizimet dhe aktivitetet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky mural shpreh mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ai shpreh edhe pritjen për një vendim të drejtë.
Flamujt që valëviten në sheshet e kryeqytetit pasqyrojnë mbështetjen dhe besimin në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E ndërsa koha ecën, çdo sekondë që kalon e afron momentin që po pritet.
Në mesin e aktiviteteve të organizuara nga platforma “Liria ka Emër” ishte edhe “7 Zona, 7 Zjarre”.
Përmes ndezjes së zjarreve dhe rrëfimeve pranë tyre, ish-komandantë, ish-ushtarë dhe fëmijë të dëshmorëve sollën histori nga lufta e fundit në Kosovë. Mesazhi i organizatorëve ishte simbolik: zjarri si dritë, me kuptimin se UÇK-ja ishte dritë për popullin në kohët më të vështira.
Mbështetja për katër ish-krerët e UÇK-së është shprehur edhe përmes pankartave të ndryshme, të vendosura në hapësira publike në kryeqytet.
Më 12 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, mbahet “Marshi për Liri”. Thirrja e organizatorëve është për pjesëmarrje sa më masive. Një marsh që, vetëm pak ditë para 16 shtatorit, pritet të përcjellë edhe një herë të njëjtin mesazh: drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
E deri atëherë, Kosova vazhdon të numërojë. Sekondat, minutat dhe ditët deri më 16 shtator.

