Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, nuk ka rezultuar me marrëveshje politike, por ka shërbyer për diskutimin e zhvillimeve aktuale dhe mundësive për bashkëpunim, raporton KosovaPress.
Ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, raporton KosovaPress.
Duke folur për takimin me LDK-në, Kurti konfirmoi se nuk është arritur marrëveshje politike.
“Sa i përket takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht me krerët e saj, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Pra, diskutuam për qasjet e ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”, tha ai.
Ai paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një dakordim, zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme.
Kurti: Nëse s’kemi marrëveshje, zgjedhjet janë të pashmangshme
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet, por ndërkohë që e bëjmë këtë, meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar dhe do të na duhet që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike në ditën e nesërme, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së XI”, shtoi Kurti.
Kurti tha se është diskutuar për sfidat politike dhe institucionale të vendit.
Në anën tjetër, unë isha bashkë me ministrin e Financave dhe anëtarin tonë të Kryesisë, Hekuran Murati. Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale, të sfidave të cilat na presin në aq shumë fusha për progresin që i nevojitet qytetarëve të Republikës dhe shtetit tonë. Me ç’rast, natyrisht, ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen. Kjo natyrisht që është optimiste për të dy subjektet tona dhe besoj që është edhe një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe për qytetarët në përgjithësi”, tha Kurti.
Sipas tij, takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë normale dhe jo të jashtëzakonshme.

